Në Maqedoninë e Veriut sot filloi mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për presidentë dhe deputetë, ky proces do të zgjasë deri më 8 mars sipas orareve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore.
Ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.
Listat e kandidatëve për kryetar të shtetit pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i dorëzojnë KSHZ-së më së voni deri më 19 mars në mesnatë.
Afati për mbledhjen e nënshkrimeve vlen si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare.
Partitë i shpalosën kandidatët e tyre
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka informuar se është vendosur që presidenti aktual Stevo Pendarovski të përkrahet si kandidat për president.
VMRO-DPMNE-ja njoftoi se deputetja Gordana Siljanovska-Davkova do të jetë kandidate për presidente.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kandidat për president do të jetë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Arben Taravari do të jetë kandidat nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike).
E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes.
Bashkimi Demokratik Boshnjak për here të parë do të ketë kandidat për president, Mersiha Smailoviq do të garojë nga ky subjekt.
Kandidaturë për president ka shpallur edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM.
Kryesia qendrore e GROM-it i dha përkrahje kryetarit të partisë, Stevço Jakimovski.
Kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski.