Tre të vdekur dhe 4 të plagosur është bilansi i aksidentit tragjik që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në rrugën magjistrale të Kërçovës, shkruan TV21. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Ohër njoftojnë se aksidenti ka ndodhur mes dy automjeteve me targa të Kërçovës, të tipit “VW” dhe Peugeot”.
“Më datë 29.03.2024 në ora 04:50 në stacionin policor të Kërçovës është raportuar se në rrugën “Rruga Magjistrale” në Kërçovë ka ndodhur një aksident trafiku në mes të automjetit “Peugeot” me targa të Kërçovës, i drejtuar nga S.I.(19) nga Kërçova dhe veturës “Volkswagen Golf” me targa të Kërçovës, i drejtuar nga K.E.(32) nga fshati Trapçin Doll i Kërçovës. Nga plagët e marra ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit shoferi K.E. dhe pasagjeri i tij A.S.(20) nga fshati Trapçin Dol, ndërsa shoferi S.I. iu nënshtrua plagëve të marra gjatë rrugës për në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Lëndime të rënda në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër janë konstatuar te 19-vjeçari T.S. nga Kërçova, V.P.(21) nga fshati Podvis i Kërçovës, P.K.(21) nga Kërçova dhe një i mitur nga Kërçova, të gjithë pasagjerë në automjetin Peugeot”, thuhet mes tjerash në njoftimin e SPB-Ohër./tv21.tv