Në datën e sotme, 12 vjet më parë në afërsi të Liqenit të Smillkovës u vranë pesë persona: Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Ackovski, Kire Tërpkovski, si dhe peshkatari Borçe Stevkovski.
Në procesin gjyqësor për rastin e njohur si “Monstra” me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq. I akuzuari Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg, ndërsa Haki Aziri me 9 vjet. Nga akuza u lirua Sami Luta për mungesë provash.
Gjykimi për rastin “Monstra” filloi më 20 dhjetor 2012. Në qershor 2014, gjashtë të dyshuar u dënuan me burgim të përjetshëm. Më 24 nëntor 2017, Gjykata supreme e rrëzoi aktvendimin dhe e ktheu procesin në rigjykim, ndërsa të dënuarit u liruan nga paraburgimi.
Hapja e sërishme e rastit pasoi pas publikimit të materialeve të përgjuara, të ashtuquajtura bomba nga opozita në vitin 2015. Rastin e mori në dorë Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërsa gjykimi ka filluar nga fillimi në maj të vitit 2018. Ndërkohë PSP u shfuqizua, por të njëjtët prokurorë vazhduan ta drejtojnë rastin.
Pas shqiptimit të dënimeve, pesë të dënuarit në rastin “Monstra” ankimuan vendimin, por Gjykata e Apelit në shtator 2022 i hodhi poshtë si të pabaza dhe i konfirmoi vendimet e shkallës së parë.
U organizuan protesta nga familjarët e të dënuarve, ndërsa politikanët dhe subjektet politike paralajmëruan hetim ndërkombëtar për rastin.
Të dënuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në arrati në Kosovë, ndaj tyre janë lëshuar fletarreste dhe deri më tani nuk janë ekstraduar në Maqedoninë e Veriut.
Vrasja e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës ndodhi më 12 prill 2012.