Me 88 vota “për”, para orës 03.00 të mëngjesit u votua Ligji për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me çka numri i Ministrive në Qeveri rritet për 25% respektivisht nga 16 në 20.
Shumicës prej 2/3 të VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, iu bashkangjit edhe Fronti Evropian i BDI-së duke siguruar votat kyçe për ndryshimin e përbërjes qeveritare.
Mbështetja ndodhi paraprakisht kur delegacione të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Frontit Evropian ishin takuar në Kuvend, me çka u njoftua se mbështesin ndryshimet.
Janë pranuar edhe kërkesa të Frontit Evropian.
“Në kuadër të takimit u bisedua edhe për dialogun e ndërsjellë ndërmjet pushtetit dhe opozitës, me ç’rast u pranua kërkesa e koalicionit Fronti Europian që brenda një kohe të shkurtër Kuvendi të formojë një komision ad hoc me Kryetar të propozuar nga opozita i cili do ta përcjellë përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në organet e administratës shtetërore dhe për punën e vet do ta informojë Kuvendin dy herë në vit”, thone nga Fronti Evropian.
Por, jo të gjithë deputetët e Frontit Evropian mbështetën ndryshimet ligjore për Riorganizimin e Qeverisë. Ligji nuk u mbështet nga Deputetët e ASH-së së Ziadin Selës. Pavarësisht kësaj, nga kjo parti thonë se do të mbeten pjesë e Frontit.
“Ne mbetemi pjesë e Frontit Europian, për këtë qëllim edhe përfaqësuesi jonë mori sot pjesë në takimin e Frontit Evropian me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, por njëkohësisht ruajmë edhe autonominë tonë si subjekt dhe ruajmë qëndrimin tonë për tema që nuk pajtohemi siç janë këto ndryshime ligjore”, thone nga ASH- krahu i Seles.