Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dega – Tetovë, kanë reaguar në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të komunës që kanë të bëjnë me kryqin e vendosur në Kodrën e Diellit.
Nga kjo parti, ushëheqësinë e komunës e kanë quajtuar “Mafia urbane” dhe e kanë akuzuar se po sinkronizon agjenda të dyshimta me VMRO-DPMNE-në për të ngritur tensione në mes qytetarëve.
Komunikata e plotë për media:
“Në mungesë të punës dhe vizionit, mafia urbane që udhëheq me komunën e Tetovës në mënyrë dëshpëruese tenton të manipulojë me ndjenjat fetare të qytetarëve të Tetovës.
Duke e pasur parasysh që në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit Komunal të Tetovës, zyrtarët e komunës publikisht e kanë pranuar se kanë qenë në dijeni që do të vendoset kryqi në Kodrën e Diellit, dhe nuk kanë marrë asnjë veprim, shihet qartë që këto janë veprime të koordinuara në mes Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së.
Ju bëjmë thirrje këtyre dy partive që udhëheqin me komunën e Tetovës, të zgjidhin çështjet për të cilat kanë nevojë qytetarët dhe të mos bëjnë lojëra të ulëta për ngritur tensione artificiale për ndonjë përfitim politik.
Qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë skenar dhe nuk do të bëhen pre e këtyre agjendave të dyshimta”, thuhet në komunikatën e BDI-së, Dega Tetovë.