Vetëm tre për qind e grave janë të angazhuara direkt në politikë, ndërkohë që 11 për qind nuk kanë fare interesim për përfshirje. Kështu thonë të gjeturat e hulumtimit të fondacionit “Friedrich Eber”, të cilat u prezantuan nga profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Besa Luzha. Në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”, ku nikoqire ishte Agjencia e Lajmeve KosovaPress ajo tha se beteja e grave për përfshirje në skenën politike e media po vazhdon.
“Ka qenë shqetësuese për ne si hulumtues kur kemi parë një rezultat që rreth 49 për qind e grave që kanë deklaruar që do të punonin vetëm nëse janë detyruara, në kuptimin nëse i kanë kushtet të vështira. Kjo na ka shqetësuar shumë më shumë sesa ndoshta vetë fakti që ka shumë gra të papuna ende”, deklaroi Luzha.
Profesoreshë Luzha shton se beteja e grave për tu përfshirë në skenën politike e në media po vazhdon.
“Në fillim ka qenë sfidë për të rritur pjesëmarrjen dhe angazhimin e gruas në jetën politike, ajo besoj që pak a shumë është rritur sepse ne kemi pasur një angazhim, në përgjithësi shoqëria, për të siguruar një herë prezencën përmes kuotës në parlament. Mirëpo, gradualisht gratë që kanë qenë të angazhuara kanë arritur që edhe pa kuotë të fitojnë votat e qytetarëve edhe me qenë prezente. Dhe, kjo është ajo skema që duket kur e fokusojmë tek pjesa e politikës. Është interesant, beteja vazhdon ende sepse derisa ne e shohim atë skenën politike edhe në media, prezencën pak më të madhe se përpara”, tha ajo.