Specialisti në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka reaguar pas vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Kinë.
Pasi Vuçiç potencoi në një intervistë për mediat kineze se “Tajvani është Kinë”, Serwer thekson se kreu i shtetit serb është i interesuar ta mbajë hapur opsionin ushtarak në Kosovë.
“Nuk është për t’u habitur, por në kundërshtim me çdo pretendim që Vuçiç ka përqafuar Perëndimin, i cili kërkon menaxhim paqësor të çështjes. Vuçiç nuk mund ta thotë këtë sepse dëshiron ta mbajë të hapur opsionin ushtarak në Kosovë”, ka shkruar Serwer në platformën X.
Ndryshe, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka komentuar çështjen e Tajvanit për kanalin informativ në gjuhën angleze të Rrjetit Global të Televizionit Kinez (CGTN), në pronësi shtetërore, duke thënë se “Tajvani është Kinë”. (AP)