Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në rrethin e parë të 24 prillit, do të jenë shtatë kandidatë, konkretisht presidenti aktual Stevo Pendarovski që është kandidat i LSDM-së, kandidatja e VMRO-DMPNE-së Gordana Siljanovska-Davkova, Stevço Jakimovski nga GROM-i, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Biljana Vankovska kandidate e së Majtës, Bujar Osmani nga BDI dhe Arben Taravari, kandidat i opozitës shqiptare, transmeton Portalb.mk.
Gjashtë nga kandidatët për president kanë dorëzuar pyetësorë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pasi paraprakisht kanë mbajtur funksione publike. Nuk ka pyetësor për profesoreshën Vankova, e cila asnjëherë nuk ka mbajtur poste publike.
Pyetësori i presidentit aktual Stevo Pendarovski është i shkurtër. Ai ka një makinë Yugo me vlerë 1000 euro dhe një llogari bankare kursimi me 12000 euro në emër të tij. Ai ka tokë në Rashtak dhe një makinë Renault Megane në emër të gruas së tij.
Gordana Siljanovska-Davkova, profesoreshë dhe deputete nga VMRO-DPMNE, në pyetësor deklaroi se së bashku me bashkëshortin e saj kanë llogari devizore me 11.000 euro, kursim devizor me 55.000 euro dhe 3.500 dollarë dhe kursim në denarë me 320.000 denarë. Një shtëpi në Shkup prej 100 metrash katrorë dhe një veturë Honda janë në emër të bashkëshortit të saj.
Kryetari i komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski ka një shtëpi prej 59 metrash katrorë në emër të tij me tokë prej 1200 metra katrorë në Kumanovë, tokë prej 10.000 metra katrorë në Kumanovë, veturë Opel Astra, aksione pronësore 200.000 denarë, kredi prej 12.000 euro, ar në vlerë 1.000 euro dhe 950.000 denarë para të gatshme. Bashkëshortja e tij ka një pronë në Kumanovë prej 700 metrash katrorë, aksione në vlerë prej 154.000 denarë dhe stoli ari prej 120.000 denarë. Në emër të prindërve Dimitrievski ka paraqitur një shtëpi prej 62 metrash katrorë me oborr, tokë në Kumanovë 5000 metra katrorë, tokë prej 2000 metra katrorë poashtu në Kumanovë dhe një tokë tjetër prej 832 metra katrorë gjithashtu në Kumanovë. Dy vetura në vlerë prej 260.000 denarë kanë edhe prindërit e tij. Fëmijët kanë 23 mijë euro libreza kursimi.
Bujar Osmani ka deklaruar në pyetësor se ka një veturë Audi A6, hua 26 mijë euro dhe kredi 58 mijë euro. Shtëpia 400 metra katrorë në Shkup është në emër të prindërve të tij.
Arben Taravari ka një shtëpi në Shkup prej 260 metra katrorë, një veturë Volvo, një depozitë prej 21.000 denarë dhe një kredi prej 100.000 euro. Si pronë e përbashkët ai dhe bashkëshortja e tij kanë piktura të autorëve maqedonas me vlerë rreth 4 mijë euro. Në emër të bashkëshortes, ai ka paraqitur një banesë në Shkup prej 94 metrash katrorë, një veturë tip “Citroen C4” dhe stoli ari në vlerë rreth 20 mijë euro. Në emër të prindërve janë të regjistruara dy shtëpi në Gostivar, njëra prej 350 metra katrorë, e dyta prej 50, objekt afarist dhe tokë ndërtimore.
Stevço Jakimovski ka tokë në Nerez në vlerë 44.000 euro, sigurim jetese 1.170 euro në vit, aksione 300.000 denarë, pretendime në bazë të kredisë së dhënë prej 400.000 denarë, depozitë prej 600.000 denarë, llogari transaksioni me depozita 38.000 dhe depozitë e kursimit prej 80.000 denarë. Në emër të bashkëshortes së tij ka tokë 80 metra katrorë në Shkup, shtëpi 320 metra katrorë në Shkup, dy vetura “BMW” dhe “Volkswagen”, aksione në vlerë prej 5.000 euro, depozitë prej 2 milionë denarë, llogari transaksioni në emër të bashkëshortes me 70.000 denarë dhe kredi 920.000 denarë. Për fëmijët e tij ai ka deklaruar se kanë një veturë BMW dhe një motoçikletë Yamaha, një kursim prej 113.000 denarë dhe një motor bore. Në pyetësor gjendet edhe një kamp rimorkio dhe stoli në vlerë prej 300.000 denarë, pronësia e të cilave nuk thuhet, si dhe një plantacion me mjedër në emër të prindërve të tij.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, të mërkurën. Fushata zgjedhore fillon më 4 prill në orën 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 22 prill. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 maj, të mërkurën, së bashku me zgjedhjet parlamentare.