Teksa Gazment Bardhi ishte në Shkodër për të përkujtuar martirët e 2 Prillit ku regjimi komunist vrau katër të rinj, Sali Berisha e dha mesazhin përmes teknologjisë. Ish-kryeministri tha se 2 Prilli është kushtrim për të rrëzuar këtë regjim dhe për të ecur drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike. Ndërkaq, Bardhi tha se masakra është një ditë reflektimi, kuraje dhe ndërgjegjësimi për lirinë.
“2 Prilli është masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri dhe për ne, një ditë reflektimi, kuraje dhe ndërgjegjësimi se për lirinë duhet të luftojmë çdo ditë. Kur përmendet liria, qyteti i parë që të shkon ndër mend është Shkodra. Prandaj, nga Shkodra e në gjithë Shqipërinë do të duhet të mbrojmë lirinë dhe të punojmë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë”, shkruan Bardhi.
Fjala e Berishës:
Por, protestës së tyre paqësore, diktatori Ramiz Alia dhe falangat e tij në Shkodër, iu përgjigjën me breshëri, nga të cilat ranë për t’u bërë të pavdekshëm 4 martirët e 2 prillit dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë në rrugët dhe sheshet e qytetit. Të dashur miq, Artan Broci, Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu dhe Besmir Ceka ranë në lule të rinisë së tyre, por sakrifica e tyre u shndërrua në dritë, në rrugën e shqiptarëve për zgjedhje të lira.
Masakra e regjimit komunist në Shkodër jehoi si një barbari në të katër anët e planetit. Parlamenti Europian, Kongresi i SHBA, qeveritë e vendeve mike, panë te ajo masakër fytyrën e vërtetë të regjimit që pretendonte se po pranonte pluralizmin. Sot, pas 33 vitesh, ne nderojmë dhe do nderojmë përjetë veprën e martirëve të 2 prillit.
Por duhet të jemi realistë, ne këtë vit, për herë të parë nga ajo datë, i nderojmë me kokën e ulur. Sepse përsëri në maj të vitit që shkoi, pasardhësit e bllokmenëve hoxhistë, Edi Rama dhe suita e tij i rrëmbyen Shkodrës votën dhe fitoren. Por kësaj radhe nuk ishin falangat e Sigurimit të Shtetit, por ishin falangat e krimit më të egër, më të urryer të Shkodrës dhe Shqipërisë.
Edi Rama, siç përdori Ramiz Alia policinë politike në vitin 1991, përdori famëzinjtë Bajrat, Gjokat dhe vrasës të tjerë serialë për të mposhtur dhe dhunuar vullnetin e qytetarëve të Shkodrës, që nuk i mposhti kurrë asnjë diktaturë, asnjë pushtim. Në këtë kontekst, ne jemi pafundësisht të detyruar ndaj idealeve dhe sakrificave të martirëve të 2 prillit. Të dashur miq, sot Edi Rama ka në duart e tij të zeza pushtet të paktën 10 përqind më shumë se ç’kishte Ramiz Alia në vitin 1991. Ai sot kontrollon të gjitha pushtetet.
Edi Rama nuk ka një polici sekrete siç kishte Ramiz Alia, por ka një aleancë të tmerrshme me krimin e organizuar në Shkodër dhe mbarë vendin, me të cilën tmerron qytetarët e lirë dhe i kontrollon ata. Edi Rama, njësoj si Ramiz Alia, bën përpjekje të mëdha për të zhdukur opozitën. Edi Rama është sot përfaqësues i një regjimi që ka boshatisur Shqipërinë më shumë se çdo regjim tjetër në tërë historinë e saj. Që ka boshatisur Shkodrën më shumë se çdo regjim tjetër në tërë hsitorinë e saj. Ndaj dhe kjo ditë e sakrificës sublime, e martirizimit të Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut dhe Besmir Cekës, është ditë kushtrimi, është ditë thirrje për çdo demokrate dhe demokrat, për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve. Për të rrëzuar këtë regjim dhe të ecur drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike. Edhe njëherë, nderim përjetë veprës, sakrificës së pavdekshme të martirëve të 2 prillit. Nderimin më të madh familjeve të tyre, Shkodrës, Rozafës së lirisë së shqiptarëve.