Sot hyrja në të gjithë muzetë dhe zonat arkeologjike në vend do të jetë falas, për nder të Ditës Botërore të Monumenteve dhe Vendeve Arkeologjike. Ministria e Kulturës njofton se institucionet shtetërore në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore do të jenë të hapura gjatë gjithë ditës.
Do të jenë të hapura dyert e institucioneve kombëtare: institutet dhe muzetë në Manastir, Shtip, Ohër, Prilep dhe Strumicë; Stobi dhe Herakleia; Shtëpia përkujtimore e Toshe Proeskit; Muzeu Arkeologjik; Galeria Kombëtare e Maqedonisë me të gjitha objektet e saj; Muzeu i Artit Bashkëkohor; Muzeu i luftës maqedonase; Muzeu Historik në Krushevë; Muzeu i alfabetit shqip; Galeria e Arteve në Tetovë; “Dr Nikolla Nezlobinski” në Strugë; Muzeu i Maqedonisë Perëndimore në NOV – Kërçovë; Muzeu i rajonit të Tetovës; Muzeumi i historisë së natyrës; Muzeu i Maqedonisë së Veriut; muzetë në Kumanovë dhe Gjevgjeli.
Ndryshe, 18 Prilli është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike nga ICOMOS, qё prej vitit 1982.
Tema e këtij viti “Fatkeqësitë dhe Konfliktet nga Këndvështrimi i Kartës së Venecias”, thekson nevojën urgjente për të trajtuar pasojat e ndryshimeve klimatike, në monumentet dhe sitet historike.
Qëllimi i kremtimit të kësaj dite, e cila fillimisht u njoh si e tillë prej UNESCO-s, është të ndërgjegjësojë rreth trashëgimisë kulturore dhe diversitetit në planet.
Objektivi i 18 prillit është të frymëzojë njerëzit dhe bashkësitë lokale të vlerësojnë trashëgiminë e tyre kulturore. Përtej ruajtjes e mbrojtjes së monumenteve, mëton të tërheqë vëmendjen edhe tek brishtësia e kësaj trashëgimie.
Tema e këtij viti ka të bëjë me Kartën e Venecias, e nënshkruar në 1964-ën, 2 dekada pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendet po bënin progres në të gjitha drejtimet, përfshirë atë ekonomik.
Tashmë, 6 dekada më pas, bota përballet me emergjencën klimatike, rritjen e katastrofave mjedisore si dhe shkatërrimin e siteve të trashëgimisë, prej konflikteve. Në këtë 60-vjetor të Kartës së Venecias, ICOMOS do ta vërë theksin tek këto probleme që kërcënojnë trashëgiminë kulturore.
Ndërkohë ekspertët ftojnë të vizitohen monumentet e sitet arkeologjike në mbarë globin, si një mënyrë kremtimi e 18 prillit.